Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasin Ilir Beqaraj për akuzat e “Vrasjes me paramendim” në bashkëpunim, “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve”, si dhe “Falsifikimit të letërnjoftimeve dhe pasaportave”, sipas nenit 78/1, 23, 278/4 dhe 289/1 të Kodit Penal.
Hetimet lidhen me vrasjen e shtetasit Gentian Bejtja në fshatin Larush, Fushë-Krujë, ku Prokuroria ka arritur të provojë se i pandehuri Ilir Beqaraj ka ndihmuar autorët e krimit. Sipas të dhënave, ai ka mundësuar largimin e tyre nga vendi i ngjarjes dhe i ka transportuar drejt fshatit Hasan, ku më pas është djegur automjeti i përdorur në krim. Këto veprime janë dokumentuar nga pamje filmike të siguruara nga organet hetimore.
Gjithashtu, hetimet zbuluan se në makinën e përdorur për të kryer krimin janë gjetur prova gjenetike që lidhin shtetasit Ilir Beqaraj dhe F.P. me këtë ngjarje, duke forcuar dyshimet për rolin e tyre në vrasjen e Gentian Bejtjas.
