Gjykata Themelore e Prishtinës e ka caktuar më 4 qershor seancën gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi. Ajo tha se seanca do të nis në orën 13:10.

“Seanca gjyqësore është caktuar më 4 qershor 2025”, ka deklaruar Gashi.

I vetmi që e kishte pranuar fajësinë ishte Tom Dodaj, i cili akuzohej për shitjen e armës me të cilën u krye vrasja. Sipas aktakuzës ai ua kishte shitur armën Naim Murselit e Granit Plavës për 280 euro. Për këtë vepër, Gjykata e kishte dënuar Dodajn me pesë vjet burgim e pesë mijë euro gjobë.