Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në lidhje me vrasjen e Liridona Ademaj. 30-vjeçarja sipas hetimeve doli se u vra prej burrit të saj që kishte paguar njerëz për t’i marrë jetën bashkëshortes së tij.

Kurti thotë se Liridona u vra me paramendim dhe u vra se ishte grua. Kryeministri shton se barra e padrejtësive në Kosovës bie mbi gratë dhe vajzat që vuajnë një sistem të tillë ku mungon drejtësia.

Kjo kulturë patriarkale dhe mizogjene sipas Kurtit duhet të zhduket e për këtë duhet edhe bashkëpunimi i qytetarëve të Kosovës.

Reagimi i Albin Kurtit: 

Liridona Ademaj u vra me paramendim. U vra se ishte grua.

Gratë dhe vajzat po vazhdojnë të vriten, gjersa normat shtypëse patriarkale ende janë të shpërndara gjerë.

Arrestimi i kriminelëve nuk po mjafton. Barra e padrejtësive të sistemit të drejtësisë vazhdon të bie mbi supet e grave dhe vajzave, përderisa kryesit e krimeve nuk marrin dënime meritore.

Sot ishte seanca dëgjimore, ku tre të dyshuarve iu caktua nga një muaj paraburgim. Urdhërdhënësi, dorasi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e Liridonës duhet të ndëshkohen dhe ta marrin dënimin maksimal. Kjo bëhet me një sistem prokurorial e gjyqësor efektiv dhe të vetëdijshëm për detyrën e lartë shoqërore që bartin.

Dhimbja është e madhe. Ndërgjegja është kolektive, në secilën familje, shtëpi.

Për ta parandaluar këso krime makabër, duhet të punojmë secili e secila, në secilën fushë e vend.

Këtë kulturë patriarkale e mizogjene, këtë maskulinitet të dhunshëm e toksik e zhdukim vetëm ashtu.

E qytetarët e Republikës presin nga zyrtarët publikë që punojnë (apo kanë punuar) në institucionet shtetërore se duhet të jenë shembull pozitiv e progresiv në shoqëri për sjelljen e tyre ndaj partnerëve dhe në familje e jo kriminelë a mujsharë që besojnë se ia dalin.

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Falbini2017%2Fposts%2Fpfbid02279nnywgcF7UT1zCXEizkdaLfqgKSSiT8UXdjiG4JcGVuPPbYxo7Tx5xayurrhH6l&show_text=true&width=500