Gjykata e Tiranës ka caktuar një masë të re sigurie “arrest me burg”, për Nikol Sherrnikun, të dyshuar për atentatin e ndodhur në një lokal në zonën e Don Boskos, në lokalin në pronësi të shtetasit Fatjon Muarataj, ku mbeti e vrarë një grua e pafajshme Mimoza Paja.

Sipas prokurorisë, Sherniku ka siguruar mjetet për kryerjen e atentatit, akuza të cilat i riu i mohon pasi në kohën kur ka ndodhur ngjarja ai ka qenë në burg për një tjetër vepër penale. “Nuk kam gisht me ngjarjen”, është shprehur Sherrniku, i cili është etiketuar dhe si ushtar i Vis Martinajt.

Sherrniku ndodhet në burg, pasi ky nuk është krimi i vetëm për të cilin ai akuzohet. Ai u arrestua më 17 gushtin e vitit të kaluar, pasi sipas Policisë, po tentonte të kryente një atentat.

Ai u kap në automjetin e blindur tip “Toyota” të parkuar në afërsi të një pallati në Kune të Shëngjinit, bashkë me drejtuesen e mjetit 34-vjeçarja, Flutura Berisha dhe një i mitur 15 vjeç.

Policia iu sekuestroi një automatik me fishekë në fole gati për qitje, dy krehëra me fishekë, 2 radio marrëse – dhënëse si të Policisë, si dhe automjeti i blinduar me të cilin lëviznin këta shtetas.

Por, ditën kur u arrestua, Nikoll Sherrniku theu dhe masën “arrest shtëpie” pasi akuzohej për një tjetër. Ai ndodhej nën atë masë në lidhje me implikimin e tij në ngjarjen e ndodhur në dhjetor 2021, ku mbeti i vrarë me armë zjarri ish-punonjësi i Policisë, shtetasi Xhuliano Prela.

Për vrasjen e këtij të fundit është akuzuar dhe Brilant Martinaj, i cili kishte fituar lirinë, para se të vritej tek masakra e mbikalimit të Fushë Krujës.