Ekspert për marrëdhënie ndërkombëtare Selam Hajrizi në “News Line” në ABC News, foli për konfliktin në Lindjen e Mesme.

Ai theksoi se vrasja e Nasrallah nxiti edhe më tej përshkallëzimin e konfliktit. Gjithashtu nënvizoi se një konflikt i gjerë mes Izraelit dhe Libanit nuk do të ishte aspak në interesin rajonal

“Mund të kemi një shkallëzim të konfliktit. Libani është kthyer në një kaos. Konflikti që ndoshta më shumë i intereson izraelit është Irani. Hezbollah është një organizatë e cilësuar nga SHBA dhe Izraeli një organizatë terroristë. Por një konflikt i gjerë mes Izraelit dhe Liban nuk do të ishte në interesin rajonal. Një konflikt mes Libanit dhe Izraelit për BE do të ishte shumë fatal shumë tragjik. Si presidenti Macron si kancelari gjerman, si Ursula von der Leyen janë në të njëjtën deklaratë për të shmangur këto sulme. Kryeministri Netanyahu më herët ka deklaruar se në Lindjen e Mesme çdo gjë do të ndryshojë nëse rrëzohet regjimi Ajatolla Ali Kameneit. Të drejtat e njeriut nuk janë të respektuara. Izraeli mundohet të hyjë në një luftë globale me Iranin, por duke pasur parasysh se Irani shumë shpejt mund të ketë armën bërthamore. Agjencitë nukleare bërthamore janë nuk monitoruar situatën. Regjimi iranian tani është në një situatë shumë të vështirë sepse nuk i beson askujt, por tensionet me Izraelin mund të shtohen edhe më tej”, u shpreh ai.

Sa i përket rolit të Egjiptit, Hajrizi theksoi se Egjipti dhe disa vende si Katari, Arabia Saudite janë vende kyçe në rolin diplomatik për raportet Iran-Izrael.

Ndërsa u ndal tek deklaratat e Erdogan, eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare tha se nuk beson se Turqia të futet në luftë, pasi kjo do të ishte një tragjedi shumë e madhe.

“Turqia është një vend strategjik shumë i rëndësishëm dhe nuk besoj se janë deklarata shumë serioze të Erdogan, pasi nuk besoj e Turqia do të përfshihej në një luftë mes Izraelit dhe Iranit. Më shumë e shoh me një rol diplomatik në arenën ndërkombëtare”, përfundoi ai.

/abcnews.al/