Kur kanë kaluar më shumë se një vit nga vrasja e shqiptarit Armend Xhika në Angli, autoritetet akuzojnë një person si të përfshirë në ngjarje.

Në pranga janë vënë një 24-vjeçar, Luigi Antonacci dhe një vajzë 21-vjeçare të cilët dyshohet se kanë lidhje në vrasjen e të riut shqiptar në Sheffield, në maj të vitit të kaluar.

Pas marrjes në pyetje, e reja është lënë e lirë. Ndërsa Luigi Antonacci, nga Scoresby Street, Bradford është akuzuar për vrasje. Ai mbetet në paraburgim policor dhe nesër (të hënën) do të dalë para Gjykatës së Magjistraturës së Sheffield.

Një tjetër person, Mentor Selmani, tashmë është akuzuar në lidhje me vdekjen e Xhikës. Selmani, 27 vjeç, pa adresë fikse, u akuzua muajin e kaluar. Ai do të dalë para Gjykatës së Sheffield Crown për gjykim në janar 2023.

Vrasja e Armend Xhikës ndodhi në 13 maj 2021. Ai fillimisht mbeti i plagosur me thikë, por më pas ndërroi jetë në spital. Që nga ajo ditë rrethanat e vdekjes së tij janë ende të paqarta.