Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim të riun Arbër Murataj, djali i Admir Muratajt, grabitësit të famshëm të Rinasit, i cili u vra nga policia. Policia ka bërë kontrolle në banesën e 18-vjeçarit, pasi ai dyshohet se ka porositur vrasjen e Stiven Toshkesit, ngjarje kjo e ndodhur disa ditë më parë në Tiranë.

Në dëshminë e dhënë në polici, nga dy të rinjtë e arrestuar për vrasjen e Toshkesit, Axel Hoxhaj dhe Ensi Maze, si dhe vajza që dyshohet se ka qenë pikënisje e konfliktit mes të rinjve, është zbuluar se e reja ka qenë në një lidhje me herët me Muratajn, dhe më pas me viktimën.

Kjo ka shtuar dyshimet se Murataj, pas një konflikti që kishte pasur edhe dy muaj më parë me Toshkesin, ka porositur kushëririn e tij Axel Hoxhaj që të dhunonte Toshkesin, ngjarje e cila degjeneroi në përdorimin e thikës, dhe vrasjen e 20-vjeçarit.

Gjatë kontrollit të policisë në banesën e Muratajt, i riu nuk është gjetur aty, e për këtë shkak ai është shpallur në kërkim nga ana e bluve.

Konflikti i mëhershëm mes dy të rinjve

Sipas burimeve policore dhe nga grupi hetimor, Arbëri Murataj rreth dy muaj më parë ka marrë në telefon Toshkesin për t’u sqaruar. Ata janë takuar në rrugën e Elbasanit pranë shkollës së Baletit, ku kishin lënë edhe takimin për t’u sqaruar.

Por, në momentin që Toshkesi shkoi në takim, ai është qëlluar me hanxhar nga 18-vjeçari Arbëri Murataj. Toshkesi ka arritur të mbrohet dhe të plagoset lehtë në bark dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, por nuk ka bërë denoncim në polici pasi është kërcënuar me jetë nga Murataj.

Pra, sipas hetimeve dy muaj më parë ka zanafillën konflikti, ku Toshkesi është plagosur me hanxhar dhe më pas në 18 prill ai u vra për vdekje po me hanxhar, nga Axel Hoxhaj, i cili rezulton të ketë lidhje të afërt familjare me Arbëri Muratajn.

Po ashtu në ngjarjen e 18 prillit ende nuk dihet kush i largoi dy autorët nga vendi i ngjarjes me makinë. Për dy 18-vjeçarët gjykata dha masën arrest në burg, gjithashtu ka marrë në pyetje edhe vajzën, ku ka treguar edhe arsyet e konfliktit.