Prokuroria e Palermos ka futur në regjistrin e të dyshuarve dy “persona të lidhur me mafien”, të cilët konsiderohen si vrasësit e Piersanti Mattarella, presidentit të Rajonit të Siçilisë, i vrarë më 6 janar 1980 në Palermo.
Sipas asaj që shkruan ‘La Repubblica’, duket se ka një kthesë në hetimin e rihapur mbi vrasjen e vëllait të presidentit aktual të Republikës.
Për vrasjen e Mattarella, janë dënuar vetëm urdhëruesit, anëtarët e Kupolës së Cosa Nostras. E veja e Mattarella-s e identifikoi Valerio Fioravanti-n, kreun e grupit Nar, në fotot e publikuara pas arrestimit, si një person shumë të ngjashëm me vrasësin e bashkëshortit të saj (krimi kishte ndodhur para syve të saj).
Fioravanti dhe Gilberto Cavallini u hetuan nga gjykatësi Falcone, por më pas u shpallën të pafajshëm.
Tani, Prokuroria e Palermos ka mbledhur “zbulime të reja, të dhëna dhe prova që forcojnë bazën e akuzës kundër të dyshuarve të rinj”.
Top Channel