Indrit Shaqja, që u plagos me armë zjarri në burgun e Peqinit nga Sokol Mjacaj pasi vrau Arben Lleshin, ka shpjeguar se ka qenë duke qëndruar në ambientet e dhomës duke gatuar kur ndodhi ngjarja. Ai ka thënë se polici i kolonës e ka thirrur atë dhe i ka thënë se e kërkojnë tek zgara e kolonës së sektorit.

Pasi ka dalë dhe ka parë se e kërkonte Mjacaj, i cili i ka thënë që të njoftojë Arben Lleshin për të dalë në dritare se ka për t’i thënë diçka. Pasi është futur në dhomë, Arben Lleshi është afruar tek dritarja. Shaqja ka thënë se teksa ka qenë duke parë ushqimin në sobë, ka dëlluar fillimisht një krismë si kapsollë dhe kur ka kthyer kokën nga dritarja ka parë Arben Lleshin që po tërhiqej në thellësi të dhomës, duke humbur ekuilibrin.

Ai thotë se ka parë në dritare Mjacajn me pistoletë në dorë dhe kur është afruar, ka nisur të flasë me të dhe e ka sharë. Pasi Mjacaj është larguar në drejtim të daljes për jashtë në ajrim, Shaqja e ka ndjekur në korridor. Kur ka dalë në ajrim, ai thotë se ka parë që Sokoli i kishte drejtuar pistoletën një polici.