Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka hequr dorë nga marrja në pyetje e Ardian Çapjas në seancës e radhës të hetimit për vrasjen e babë e bir, Gentian dhe Nezir Beqirin.

Burime bëjnë me dije për gazetaren e Panorama.al Nikoleta Kovaçi se akuza u tërhoq nga marrja në pyetje te të akuzuarit, ndërkohë që shkaku ende nuk dihet.

Ishte i penduari i drejtësisë Ervis Bardhi ai që nxori në skenë emrin e Ardian Çapjas. Ai tha se është paguar me 50 mijë euro nga Ardian Çapja për vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit në Elbasan në vitin 2012.

Dëshmitari dha detaje nga mënyra se si ishte njohur me Gentian Beqirin në Burgun e Peqinit dhe marrjen e porosisë për ekzekutimin e tij nga Ardian e Florenc Çapja deri në ditën e ekzekutimit.

Babë e bir u vranë në banesën e tyre 10 vite më parë, gjatë kohës kur Gentian Beqiri ishte i paralizuar dhe ndodhej në arrest shtëpie. Ai ruhej nga policia pasi akuzohej për vrasjen e Sokol Çapjat në vitin 2005. Autorët e ekzekutuan atë me 7 plumba dhe më pas mbytën babanë e tij Nezir Beqiri.