Për vrasjen e fqinjit të tij me armë zjarri, me 21 nëntor të vitit 2009, Ndue Lekgjonaj bëri vetëm 4 vite burg dhe prej vitesh jetonte në emigrim, por shumë larg fshatit të krimit Manati.

Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lezhës, dhënë më 26 korrik 2010, Lekgjonaj gjendet fajtor për akuzën e vrasjes me dashje dhe armëmbajtjes pa leje. Në vendimin me trupë gjykuese Gentiana Muçaj, Fjoralba Prifti dhe Ded Deda, thuhet se Ndue Lekgjonaj akuzohet për dy vepra penale, ndërsa prokurori i shkarkuar tanimë nga vetingu, Agim Dalipi, ka kërkuar dënimin me vetëm 12 vite burg të Lekgjonajt.

Pavarësisht dënimit minimal, trupa gjykuese i “fali” edhe rreth dy vite të tjera, duke e dënuar përfundimisht me 10 vite e 6 muaj burg. Në të njëjtën kohë, autori i vrasjes së Gjon Përvathit dhe plagosjes me makinë të djalit të tij, vetëm 14 vjeç në atë kohë, përfitoi edhe gjykim të shkurtuar, duke iu zbritur dënimi me 7 vite.

Në vendimin e Gjykatës së Lezhës thuhet se Gjon Përvathi ka qenë me djalin e mitur dhe të vëllanë, duke ecur në rrugën kryesore të fshatit Manati, kur u përplasën me makinë nga Ndue Lekgjonaj.

Më 21 nëntor të vitit 2009, rreth orës 14:30, në fshatin Manati në afërsi të një lokali, ka ardhur Ndue Lekgjonaj dhe e ka përplasur Gjon Përvathin, djalin e tij të mitur dhe të vëllanë që lëviznin në këmbë. Më pas ka zbritur nga makina dhe ka qëlluar tri herë më armë gjahu, duke lënë të vdekur në vend Gjon Përvathin, ndërsa të plagosur nga përplasja mbeten vëllai dhe djali i tij.

Pas ngjarjes, Lekgjonaj është larguar në drejtim të fshatit Prull dhe është dorëzuar në Polici më 25 nëntor, duke pranuar autorësinë e krimit. Edhe pse mbetën të plagosur nga përplasja me makinë, djali dhe i vëllai i viktimës nuk janë përfshirë në hetim.

Hetuesit kanë marrë vetëm deklarimin e kunatës së viktimës, bashkëshorti i së cilës u lëndua nga Lekgjonaj.

Sipas saj, kunati Gjon Përvathi ka dalë nga shtëpia bashkë me djalin e mitur për të takuar familjen Lekgjonaj, por nuk vonoi shumë dhe ajo dëgjoi zhurmë, që e bën të dilte nga shtëpia dhe të shohë sesi fqinji i mori përpara me makinë të afërmit e saj. Në këtë vendim mungojnë edhe shkaqet që sollën sulmin ndaj tre burrave të familjes Përvathi. Vendimin e ka apeluar vetëm pala mbrojtëse, por Gjykata e Apelit në Shkodër la në fuqi të njëjtin dënim siç e dha Shkalla e Parë në Lezhë.