Sokol Mjacaj, i cili ekzekutoi brenda burgut të sigurisë së lartë të Peqinit Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan, do të vijojë të qëndrojë në regjimin “41 biss”.
GJKKO ka refuzuar kërkesën e Mjacajt, i cili kërkonte daljen nga regjimi i posaçëm.
“Kërkuesi Sokol Mjaçaj me datë 23.12.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Kundërshtim i vendimit nr. 619, datë 11.12.2024, të Ministrit të Drejtësisë”. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Ardit Mustafa vendosi rrëzimin e kërkesës”, thuhet në njoftimin e GJKKO.
Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit.
Ngjarja ndodhi më 15 dhjetor 2023. Mjacaj është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë. Pas ngjarjes në burgun e Peqinit, ai deklaroi para hetuesve se Arben Lleshin e vrau pasi kishte sherr me të, pasi ai nuk e pranonte në sektroin e tij.
Sokol Mjacaj
Sokol Mjacaj ka vrarë dy turistët çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, më 3 korrik 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit. Mjacaj i grabiti dy të rinjtë e më pas i ekzekutoi me armë zjarri në automjetin e tyre. Pas kryerjes së krimit Mjacaj u largua nga vendngjarja dhe u ul në një kafene të fshatit për të porositur kafe. I tha kamerierit të lokalit se kishte një aparat fotografik për të shitur për 5000 lekë. Kamerieri ka këmbëngulur se nuk e blen me atë çmim pasi aparati ishte i thyer dhe i shitur. Ai ka dhënë vetëm 500 lekë Mjacajt, më pas ky i fundit u largua në drejtim të paditur.
Sokol Mjacaj u arrestua dy ditë më pas më 5 korrik 2015. Më 5 korrik 2022 Gjykata e Lartë la në fuqi dënimin, burg përjetë për Sokol Mjacajn. Ky dënim ishte dhënë nga Gjykata e Apelit të Shkodër në 2018.
Indrit Shaqja
Indrit Shaqja, i dënuari i dytë i përfshirë në përplasje është gjithashtu i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 2 të moshuarave, Elsa Vava 72 vjeç dhe Gjinovefa Vava 77 vjeç, kunata me njëra-tjetrën. Shaqja në bashkëpunim me Velson Elmazin nga Elbasani dhe Artur Kaçanollin nga Shijaku në datën 2 shtator 2014 kanë hyrë në banesën e dy kunatave, të moshuarave Elsa Vava 72 vjeç dhe Gjinovefa Vava 77 vjeç, për të vjedhur sende më vlerë dhe para, por kanë hasur kundërshtinë e të moshuarave dhe për këtë ata kanë nisur t’i torturojnë deri në vdekje viktimat, të cilat u gjetën nga policia të lidhura dhe mbytura me qese plastmasi në kokë në shtëpinë e tyre në lagjen nr.11 të Durrësit mbrëmjen e 2 shtatorit 2014. Ato jetonin së bashku në banesën e vjetër dykatëshe në një nga lagjet kryesore të Durrësit.
Arben Lleshi
Arben Lleshi (viktima) ishte i dënuar për vrasjen e bashkëkombësit të tij Agim Hoxha në Sauthempton. Ngjarja është shënuar më 10 prillin 2013 kur Arben Lleshi 27 vjeç, i njohur si shpërndarës droge në Angli, dogji të gjallë brenda në makinën e tij Agim Hoxhën 29 vjeç në Sauthempton të Anglisë./vizionplus.tv