20 vite burg ka kërkuar prokuroria e Tiranës për efektivin e Policisë Nevaldo Hajdaraj, i cili vrau të riun Klodian Rasha, ngjarje e ndodhur kjo në datën 8 Dhjetor të vitit të kaluar.
Në sajë të gjykimit të shkurtuar, i cili i është pranuar, efektivit të policisë do ti ulet 1/3 e dënimit, duke marrë një dënim prej 13.4 vitesh burg, në rast se pretenca do të pranohet nga Gjykata.
Si të gjitha seancat, edhe kjo e sotmja që u mbajt në ambientet e Gjykatës së Tiranës, u ndoq nga afër dhe nga babai i Klodianit, Qazim Rasha.
Fill pas vrasjes ai ka kërkuar që të bëhet drejtësi për rastin e djalit, dhe nuk ka pranuar asnjë shpërblim financiar që i është dhënë nga qeveria, duke thënë se ato para do ti çonte për bamirësi.
Akuza që qëndron mbi efektivin është ajo e vrasjes me dashje, duke qenë se ra akuza fillestare e vrasjes në kapërcim të kushteve të vetëmbrojtjes, pasi nuk u provua kurrë që viktima të kishte qenë i armatosur, ndryshe nga sa pretendoi fillimisht policia.
Vetë efektivi e ka pranuar krimin, ndërkohë që kjo ngjarje pati një sensibilitet të madh publik, dhe u shoqërua dhe me disa protesta në Tiranë.