Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e Naser Pajazitajt, i cili ishte dënuar me dënim të përjetshëm për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj.

Përmes një komunikate për media, Gjykata e Apelit ka njoftuar se është anuluar aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Ferizajt, për dënimin me burgim të përjetshëm.

“Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar se me aprovimin e ankesave të mbrojtësve të të akuzuarit N.P. dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, duhet që të anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, PKR.nr.9/20 i datës 7 korrik 2021, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij vendimi, Naser Pajazitaj do të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim, deri në marrjen e një vendimi tjetër nga gjykata e shkallës së parë.

“Me aprovimin e ankesës së përbashkët të mbrojtësve të akuzuarit N.P., por, edhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i Gjykatës Themelore – Departamenti për Krime të Rënda në Ferizaj, PKR.nr.9/20 datë 07.07.2021, anulohet dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe vendim. Të akuzuarit N.P., i vazhdohet paraburgimi deri në marrjen e vendimit tjetër nga gjykata e shkallës së parë”, bëhet e ditur në vendimun e Gjykatës së Apelit.

Më 27 maj të këtij viti, Naser Pajazitaj është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitajt.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Naser Pajazitaj akuzohet se më 09.11.2015, në bjeshkët e Strellcit Komuna e Deçanit, në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë” , me dashje dhe me armë të tipit të panjohur, në mënyrë dinake dhe për motive të ulëta e ka vrarë Donjeta Pajazitajn.