Ka zgjatur pak orë arratia e autorit të vrasjes së Selim Velsulës, 65-vjeçarit që u gjet i vrarë me thikë në fshatin Xibër të Klosit mbrëmjen e së enjtes. Autori është identifikuar si Hazbi Velsula, kushëri i 65-vjeçarit. Mësohet se ai është arrestuar nga policia e Tiranës në shtëpinë e të vëllait në zonën e Alliasit.

65-vjeçari u gjet i pajetë pranë pronës së tij, në trupin e të cilit u konstatuan dëmtime në trup të shkaktuara me thikë. Sipas policisë, dyshohet se Hazbi dhe Selim Velsula janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin për motive të dobëta dhe më pas 32-vjeçari e ka goditur me thikë duke u shkaktuar vdekjen.

Burime pranë policisë së Matit bëjnë me dije se ka qenë motra e autorit që ka njoftuar policinë pas bisedës që ka bërë me të vëllanë, i cili i ka rrëfyer krimin. Dyshohet se ngjarja ka ardhur për motive pronësie. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale thikën, ndërsa ngjarja është referuar në prokurori për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, u zbardh dinamika e ngjarjes. Nga veprimet e kryera, dyshohet se shtetasit H.V. dhe S.V. fillimisht janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta dhe më pas shtetasi H.V. e ka goditur me armë të ftohtë (thikë) shtetasin S.V., duke i shkaktuar vdekjen.

Po në vijim të veprimeve, falë një informacioni të marrë nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë për vendndodhjen e autorit të dyshuar, shërbimet e DVP Tiranë kapën në lagjen Allias dhe vunë në pranga autorin e dyshuar të ngjarjes, shtetasin H.V., 32 vjeç, banues në Allias, i cili pas krimit ishte strehuar në banesën e vëllait.”, njoftoi policia e Matit.

Një banor i fshatit ku ndodhi ngjarja thotë se janë të shokuar me atë që ka ndodhur, ndërkohë që shton se nuk kanë qenë në dijeni të ndonjë konflikti mes dy familjeve.

“Unë jam punonjës i njësisë administrative këtu dhe nuk kemi pasur asnjë ankesë nga njëra familje apo tjetra për probleme pronësie, kufijsh”, u shpreh banori.

Lajm në përditësim…