Malli për të ëmën mendohet të jetë arsyeja që ka shtyrë një 12-vjeçare në fshatin Buzaishtë të Pogradecit t’i japë fund jetës së saj në një kasolle pranë shtëpisë.

E mitura që u vetëvar këtë të martë, jetonte me babanë, njerkën dhe fëmijët e të atit nga martesa e dytë. Divorci i prindërve të saj dyshohet të ketë rënduar psikologjisht të miturën e cila sipas të afërmeve e kishte takuar të ëmën vetëm 1 herë pas 5 viteve mungesë të saj.

Pas lajmit tronditës, Kolibri.al shkoi edhe në banesën e së miturës, nga ku për shkak të dhimbjes ende të freskët, familjarët nuk u prononcuan, por mundëm të hidhnim dritë nga të afërmit e saj.

Ramazan Çela u prononcua për Kolibri.al ku theksoi se vajza nuk ishte rritur në një familje problematike, madje ishin shumë të nderuar në zonë. I afërmi dyshonte se ishte mungesa e nënës së saj ajo që mund ta ketë shtyrë t’i jepte vetes një fund tragjik. Ai tregoi se kur takoi të bijën, i ati i vajzës ishte lutur që të rrinte me vajzën, por kjo e fundit kishte refuzuar. E mitura jetonte në një banesë me njerkën, babanë dhe 2 fëmijët e tij nga martesa e dytë.

Them ngaqë kishte nënën të larguar, e takoi vetëm 1 herë këtë behar, ka 4-5 vjet e larguar, këtë behar para dy muajsh e takoi, e kërkoi. Nuk e di ka ikur, ju lut ky (babai i vajzës) për ta marrë po ajo (nëna e vajzës) nuk donte, jo nuk jetoj këtu. Nuk ka pasur asnjë shqetësim, shkonte për bukuri, nuk i ndihej zëri fare. Me vëllezërit dhe motrat e tjera shkonte mirë shumë ajo rriti dhe 2 të tjerë.”- tha Çela Sipas burimeve nga policia, vajza e mitur ndodhej e vetme në banesë në momentin që ka ndërmarrë aktin tragjik.

Rreth orës 14:10 ishte gjyshja e vajzës që pa mbesën e vetëvarur. Më tej njoftoi fqinjët dhe policinë. Policia thotë se nga hetimet paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune në trupin e 12-vjeçares, ndërsa grupi hetimor pritet të zbulojë se çfarë e shtyu të miturën që të shkojë drejt këtij vendimi tragjik.

Burime zyrtare thonë se dyshojnë se vajza ishte e rënduar psikologjikisht prej kohësh për shkak të divorcit të prindërve të saj.