Një 23 vjeçar shqipar është vrarë në Athinë në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne, në një ngjarje që dyshohet se ka ndodhur për prishjen e pazareve të drogës.
Autoritetet greke janë në kërkim të arsyeve të ekzekutimit të viktimës Koço Myftari, nga fshati Rusan i Delvinës.
Sipas policisë, në orën 05:30 të mëngjesit 23 vjeçari u dërgua në gjendje të rëndë në spitalin e Athinës “Evangjelizmos”, me plagë të rënda të shkaktuara nga mjet prerës, dyshohet thikë.
Policia dyshohet se kanë ndaluar dy persona të cilët e transportuan viktimën në mëngjes në spital. Prej hetimeve rezulton se ata kanë thënë emrin e autorit që goditi me thikë viktimën Koço Myftari dhe se kanë deklaruar se sherri nisi për pazare të prishura të drogës mes anëtarëve të organizatës.
Mjekët e futën direkt në sallën e operimit, por nuk mundën ta shpëtonin. Policia që mbërriti menjëherë në spital, nuk ka mundur të gjejë detaje nga ngjarja dhe as arsyet e ekzekutimit të viktimës.
Policia po kërkon autorin e dyshuar për deri tani nuk është gjetur.
Çështja komplikohet edhe më tej nga informacioni se një djalë tjetër i familjes Myftari është ekzekutuar në vitin 2019 në Gjermani.
Policia po heton shkaqet por edhe nëse ekzekutimet e vëllezërve Myftari kanë lidhje me njëra tjetrën.