Miguel Toral, tifozi i ri i Betis, që e ndoqi ekipin e zemrës në barelë, vdes nga kanceri. Edhe pse nën kujdesin paliativ, 17-vjeçari e shoqëroi ekipin në transfertat e “Los Cármenes”, “Martínez Valero” dhe “Wanda Metropolitano”. I riu vuante nga kanceri i avancuar dhe vetë Betis e ka bërë të ditur lajmin e hidhur, pasditen e djeshme në rrjetet e tij sociale:
“Sot është një ditë shumë e trishtuar. Miguel na ka lënë. Faleminderit që ishit shembull i luftës dhe jetës për të gjithë ne. Real Betis shpreh gjithë dashurinë dhe inkurajimin e tij për familjen dhe të dashurit tuaj në këto kohë të vështira. Pusho në paqe”. Ky është mesazhi i shpërndarë në profilet e klubit të La Liga-s, së bashku me një video të njërës prej vizitave të Miguelit në ekip gjatë udhëtimit me barelë.
Tifozi i ri kishte mundur të shoqëronte ekipin e tij në barelë falë fondacionit “Ambulancia del Desire”, madje kishte pasur mundësinë të përshëndetej dhe të bënte foto me lojtarë të ndryshëm nga skuadra, si kapiteni Joaquín, ose me trajnerin kilian Manuel Pellegrini.
Klubi kishte planifikuar që Miguel Toral të merrte pjesë në ndeshjen kundër Celta ditën e djeshme, por shëndeti i tij u përkeqësua ditët e fundit. I riu ndau disa mesazhe mbështetjeje për ekipin e tij në Twitter kur sëmundja ishte tashmë shumë e avancuar. Një prej tyre ishte përgjigjja ndaj një postimi zyrtar të skuadrës së Betis pas një disfate.
“Biem dhe ngrihemi”, – kishte shkruar Betis, status të cilit Miguel Toral iu përgjigj: “Nuk do të jetë ndeshja e fundit, në të cilën do të shkoj në stadium. Nëse më duhet të shkoj në Vigo, do të shkoj vetëm me barelën time. Me gjithë inkurajimin që marr nga krejt Spanja është e pamundur të ndalosh së luftuari. Këto janë gjeste që vlerësohen për gjithë jetën”.