Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të mërkurën se Serbia nuk do të njohë rezultatet e referendumeve të mbajtura në katër rajone të Ukrainës pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse, pavarësisht lidhjeve të ngrohta të Beogradit me Moskën.
Autoritetet e mbështetura nga Rusia në të katër rajonet thonë se presin një shumicë të madhe në favor të bashkimit me Rusinë bazuar në numërimin e votave në referendume, të cilat Kievi dhe Perëndimi i kanë denoncuar si votime të paligjshme false të mbajtura nën kërcënimin e armëve.
Presidenti rus Vladimir Putin pritet të shpallë aneksimin e katër rajoneve; Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia, në një fjalim të premten.
“Serbia nuk do t’i njohë (referendumet) pasi i përmbahet ligjit ndërkombëtar, Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe rezolutave të OKB-së”, u tha presidenti serb Vuçiç gazetarëve të mërkurën.
Kremlini mbështet Beogradin në kundërshtimin e tij të vazhdueshëm ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës, që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore.
“Ne po mbrojmë tërësinë tonë tokësore dhe është në interesin tonë më të mirë të mbrojmë tërësinë tokësore të vendeve të tjera të njohura ndërkombëtarisht”, tha presidenti serb, duke theksuar se vendi i tij ndodhet nën trysni për shkak të qëndrimit ndaj Moskës.
Serbia, një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, varet nga Rusia për furnizimet e saj me gaz natyror dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Beogradi u përball me kritika nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian pasi të premten e kaluar nënshkroi në Nju Jork një marrëveshje me Rusinë për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill tha të hënën se Shtetet e Bashkuara duan “sqarim nga Serbia se çfarë ka nënshkruar me Rusinë në Nju Jork”, duke nënvizuar se në këtë periudhë “askush nuk do të duhej të nënshkruante asgjë me Rusinë”.
Më pas ambasadori Hill tha se e ka parë dokumentin në të cilin “nuk ka kushedi çfarë”, por sipas tij çështja është “përse i duhej Rusisë një gjë e tillë. Qartazi Rusia e dëshironte planin për të arsyetuar luftën e saj në Ukrainë. Sjelljen e Rusisë e kanë dënuar të gjithë edhe në SHBA, në Indi, madje edhe Kina e kritikoi. Askush nuk e mbështet”, tha ambasadori Hill në një intervistë me agjencinë serbe të lajmeve FoNet.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon dhe raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, e cilësuan marrëveshjen si një goditje të madhe për procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian tha se “BE-ja nuk mund të vazhdojë negociatat e anëtarësimit të Serbisë nëse ajo nuk vihet në linjë me sanksionet e BE-së kundër Rusisë”, duke paralajmëruar se ky qëndrim do të jetë pjesë e raportit të radhës mbi zgjerimin e bllokut.
Serbia u përpoq të ulë rëndësinë e marrëveshjes me Rusinë dhe të mërkurën presidenti serb tha se “një dokument burokratik, pa asnjë rëndësi thelbësore u përdor nga mediat për ta sulmuar Serbinë”.
Dokumenti Serbi – Rusi u nënshkrua në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus Sergey Lavrov, për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë./ VOA