Erion Murataj PSD

Pas gati dy muajsh mungesë, për shkak të një urdhri ekzekutiv të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ekspertët amerikanët e OPDAT janë kthyer në SPAK dhe Gjykatën e Posaçme.

Burime pranë këtyre institucioneve bënë me dije kthimin e të njëjtëve ekspertëve amerikanë, që më herët kanë asistuar punën e tyre, sipas A2cnn. Po sipas burimeve, pas rikthimit ata kanë zhvilluar takime me gjyqtarët dhe prokurorët e posaçëm.

Ekspertët amerikanë, që mbështesnin me prani punën e SPAK dhe GJKKO u larguan në fund të janarit pas Urdhrit Ekzekutiv të presidentit të SHBA, Donald Trump për të ndaluar implementimin e asistencës ndërkombëtare, urdhër që ndërpreu edhe çdo aktivitet të USAID në Shqipëri.

Pas këtij urdhri, në një reagim zyrtar, SPAK tha se mbështetja e misioneve të partnerëve ndërkombëtare, përfshi ato të Shteteve të Bashkuara, konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve.