Automjeti tip “Audi” ngjyrë gri i përdorur nga autorët në atentatin e dështuar ndaj kushërinjve Preçi nga Miloti është filmuar nga kamerat e sigurisë së bizneseve përgjatë superstradës Lezhë-Milot, por nuk është arritur ende të identifikohet targa e mjetit.

Pamjet filmike nuk janë të qarta dhe do të dërgohen për ekzaminim të specializuar në Tiranë.

DINAMIKA

Ndërkohë, referuar pamjeve filmike bëhet me dije se autorët i kanë ndjekur lëvizjet e kushërinjve Blerim dhe Klisman Preçi, dhe në zonën e Ishull-Lezhë automjeti tip “Audi” është bërë njësh me “Fuoristradën” dhe nga sedilja e pasme një person ka hapur zjarr në drejtim të tyre, duke qëlluar me breshëri plumbash ndaj kushërinjve Preçi, por fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk pësoi lëndime.

Pas kësaj, autorët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes në drejtim të Milotit, duke humbur edhe gjurmët. Nga mënyra e organizimit të atentatit tregohet se ai ka qenë i mirorganizuar pavarësisht se autorët nuk e kanë arritur objektivin e tyre.

PISTA E HETIMIT

Burime nga Prokuroria e Lezhës, bëjnë me dije se pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek prishja pazareve të drogës mes grupeve në vendet e Bashkimit Evropian, ku jeton Blerim Preçi bashkë me të vëllanë.

Në dëshminë e parë në polici, shënjestra e atentatit ka deklaruar se nuk ka konflikte, por hetuesit po kalojnë në sitë të gjithë veprimtarinë e tij në vendet e BE.

Blerim dhe Klisman Preçi u qëlluan me breshëri plumbash teksa po lëviznin me automjetin tip “Fuoristradë ML” përgjatë superstradës Lezhë-Milot, por nga të shtënat fatmirësisht nuk morën lëndime, duke i shpëtuar mrekullisht atentatit të mirorganizuar ndaj tyre.

Dëshmitarë në vendngjarje thonë se të shtënat erdhën nga në një automjet “Audi”, brenda të cilit ndodheshin të paktën 2 persona, shoferi dhe një pasagjer në pjesën e pasme.

Pikërisht ky i fundit ka qëlluar disa herë në drejtim të makinës ku udhëtonte 28- vjeçari Blerim Preçi së bashku me kushëririn e tij, Klisman Preçi. Sipas dëshmitarëve, sapo ka dëgjuar të shtënat, drejtuesi i mjetit ka frenuar anës rrugës dhe është hedhur nga makina, ndërsa vetë makina ka vazhduar udhëtimin edhe për disa metra.

Të paktën 10 shtetas u shoqëruan menjëherë pas ngjarjes dhe gjatë së dielës në lidhje me atentatin me armë zjarri. Pas shoqërimit në komisariat dhe marrjes në pyetje nga ana e hetuesve pranë Prokurorisë, të gjithë ata janë lënë sërish të lirë./ panorama