Janë bërë publikë emrat e disa prej të arrestuarve në kuadër të operacionit të përbashkët të Prokurorisë së Posaçme me autoritetet finlandeze.

Gjithsej u dhanë 11 masa arresti, teksa janë bërë publikë emrat e 6 prej të arrestuarve: Dorjan Luzaj, Geraldo Seferaj, Elton Myftari, Elton Tavani, Erind Teneqexhiu alias Agalliu dhe Kela Qevani. SPAK thotë se gjatë viteve 2022 dhe në vazhdim, janë evidentuar 4 grupe të strukturuara kriminale, në përbërje të të cilëve kanë qenë shqiptarë dhe të huaj.

Sipas SPAK, këto grupe, të krijuar, organizuar dhe drejtuar nga shqiptarë, kanë mundur të trafikonin në territorin e Republikës së Finlandës, sasira të konsiderueshme lëndësh apo substancash narkotike me rrezikshmëri të lartë, përfshirë; kokainë, amfetaminë, kanabis, ekstazi dhe substanca të tjera psikotrope.

Prokuroria e Posaçme thotë se droga trafikohej dhe transportohej nga Holanda dhe Spanja si dhe më pas dorëzohej, tregtohej, shpërndahej në disa qytete të Finlandës duke shfrytëzyar edhe një rrjet të mirëorganizuar shpërndarësish.