Familja apelon konfiskimin: Investuam paratë e emigracionit.
Nga viti 1996 deri në 2007-ën, familjarët e deputetit Kasëm Mahmutaj investuan në blerjen e pasurive të paluajtshme si ndërtesa, apartamente, trualle dhe arë, teksa në këtë kohë, sipas Gjykatës nuk deklaronin të ardhura të ligjshme dhe nuk mund të verifikohet burimi.
Gjykata thotë në vendimin e konfiskimit të 22 pasurive, se këto investime u bënë me të ardhurat e aktivitetit kriminal të shfrytëzimit të prostitucionit në të cilin ishte implikuar dhe dënuar vëllai i deputetit, shtetasi Gazmend Mahmutaj.
Ky i fundit një personazh i njohur për autoritetet, rezulton se nuk ka të regjistruar në emrin e tij pasuri, teksa të ardhurat e vetme të deklaruara janë ato të pagës nga një subjekt privat ku është i vetëpunësuar.
Hetimi tregoi, thotë Gjykata, se pasuritë që figurojnë në emrin e familjarëve të subjektit zotërohen prej Gazmend Mahmutaj dhe regjistrimi në emër të tyre është kryer për qëllime të fshehjes së pasurisë. Në vendim argumentohet se secili prej familjarëve ka filluar të deklarojë të ardhura vetëm pas krijimit të shoqërive private, ku vetëpunësoheshin.
Njëri pas tjetrit, familja Mahmutaj ka deklaruar se investimet ishin kryer nga ardhurat që kishin grumbulluar nga emigracioni i hershëm. Ndërkohë çështja e sekuestrimit të mbi 10 ndërtesave dha apartamenteve, 4 makinave dhe 3 pronave është në Gjykatën e Apelit, ku familja e deputetit kërkon lirimin e tyre.