Eshte siguruar draftin që pritet të kalojë për miratim gjatë ditës së sotme, në Kuvendin Kombëtar të PD-së, ku një nga pikat më kryesore të tij është shkarkimi i kryetarit në rast se humbet zgjedhjet parlamentare, dhe kalimi i tij në votëbesim, në rast se humbet zgjedhjet lokale.

Në draft statut thuhet qartë se nëse kryetari i Partisë i humbet zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, mandati i tij përfundon automatikisht, dhe nuk ka të drejtë që të rizgjidhet. Ndërkohë që në rastin e zgjedhjeve lokale atij i duhet mbështetja e 70% të anëtarësisë në mënyrë që të konsiderohet i votëbesuar.

Ajo që vlen të theksohet në këtë rast është fakti që ky ndryshim në statut është konsideruar edhe ”neni Basha”, pasi ai është një prej kryetarëve që ka humbur më shumë zgjedhje dhe nuk është dorëhequr, në një rast ngriu mandatin, dhe në një rast tjetër shpalli zgjedhje të parakohshme.

Votimi i kreut të PD-së do të bëhet përmes parimit një anëtar një votë.

Një tjetër pikë që thuhet të draft statut, është ajo për nënkryetarët, që duhet të jenë 2 nga 4 që ka aktualisht Partia Demokratike. Po në ndryshimer statutore që janë propozuar për sot, thuhet se në rast të një ndërprerje të parakohshme të mandatit të kryetarit, vendin e tij e zë sekretari, deri në mbajtjen e zgjedhjeve.

Një pikë tjetër me rëndësi në statut është ajo për propozimin e listave të deputetëve dhe të zgjedhurve lokalë të PD-së që duhet të propozohen nga baza, duke shmangur në këtë mënyrë ngjarje të tilla si ajo e 2017-tës, ku lista e deputetëve u miratua në minutat e fundit nga Lulzim Basha.

Ndryshime parashikohen edhe në përbërjen e kryesisë, e cila sipas draftit duhet të përbëhet nga: Kryetari i partisë, dy nënkryetarët, sekretari i përgjithshëm, kryetari i këshillit kombëtar, dhe 20 anëtarë që do të zgjidhen me votim të fshehtë nga këshilli kombëtar.

Që prej 9 shtatorit të këtij viti, kur Basha shpalli përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, pas përcaktimit ‘non grata’ nga DASH, ky i fundit nisi turin e ‘Foltoreve’ në të gjithë vendin duke kërkuar largimin e kreut aktual të PD-së dhe ristrukturimin e partisë që themeloi vetë 31 vjet më parë.

Sipas përfaqësuesve të ‘Foltores’ për mbledhjen e këtij Kuvendi kanë nënshkruar mbi 5200 delegatë, ndërsa pritet që të miratohet dhe statuti i ri i Partisë Demokratike.

Kreu aktual i PD-së Lulzim Basha e ka quajtur të paligjshëm dhe anti- SHBA këtë Kuvend duke cilësuar nul dhe vendimet e dalë prej tij. Ai rreth 1 muaj më parë shpalli datën e mbajtjes së një Kuvendi tjetër të PD-së me 18 dhjetor, ndërsa të dy palët pretendojnë se janë mbledhur firmat e mbi 5 mijë delegatëve. Ndërkohë deri më tani zyrtarisht Kuvendi i PD-së ka rreth 7500 delegatë.