Shqipëria ka hyrë zyrtarisht në vit zgjedhor. Më 11 maj qytetarët do të votojnë për qeverinë e re dhe do të kemi sërish një përballje Rama-Berisha. Por duket se të dyja palët do të zbresin në fushë me strategji të ndryshme. Edi Rama pritet që të pastrojë listën e kandidatëve, ndërsa Berisha do të rikthejë ekipin e tij me të cilin ka garuar dikur.

Sali Berisha duket se i ka gati emrat kryesorë të kandidatëve. Pak javë më aprë ai caktoi grupet e punës për shumicën e qarqe në vend, për fushatën elektorale. Por që me shumë gjasë, këta emra pritet të jenë dhe pjesë e listave të 2025, për të mos thënë që do të jenë në krye të tyre. 

Ajo që bie në sy, është se Berisha ka rikthyer disa nga emrat e vjetër që i ka pasur kur PD ishte në pushtet.  Për qarkun e Elbasanit drejtues është caktuar deputeti Tomor Alizoti, teksa në grup do të jenë edhe 24 persona të tjerë në listë shtabi, mes tyre shumë deputetë si Aurel Bylykbashi, Dashnor Sula, Lefter Gështenja, Zheni Gjergji apo Qani Xhafa. Në këtë qark janë rikthyer Arbjola Halimi dhe Ardian Turku.

Në Lezhë prin listën deputeti dhe nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, që do ketë si ndihmës edhe 12 funksionarë politikë të partisë, mes tyre deputetet Elda Hoti, apo dhe Lindita Metaliaj. Në këtë qark janë rikthyer ish-deputetja Albina Deda dhe Salvador Kaçe.

Kurse në Berat drejtues është caktuar Eno Bozdo, i mbështetur nga deputeti Kasëm Mahmutaj dhe 4 të tjerë. Në Durrës bie në sy rikthimi i Get Strazimirit, i cili do kujdeset për Krujën dhe Fushë Krujën. Pritet me interes Shkodra, ku me gjasë Berisha do të rikthejë Jozefina Topallin. /Pamfleti