Partia e Lirisë ka zbuluar dje një tjetër skemë që, sipas tyre, është përdorur për të humbur gjurmët nga paratë e përfituara në mënyrë të jashtëligjshme në aferën e inceneratorëve.

Koordinatorja kundër korrupsionit në Partinë e Lirisë, Brisida Shehaj, publikoi dje dokumentet se si një 29- vjeçar me inicialet E. B. e nisi karrierën e tij si borxhli me inceneratorin e Elbasanit, duke marrë 500 mijë euro hua, ndërkohë që në inceneratorin e Tiranës arrin të bëhet administrator me të drejta të plota, madje të blejë edhe mbi 1 hektar tokë me vlerë 200 milionë lekë e më pas, me ndihmën e Stela Gugalljas, të marrë edhe 314 mijë euro nga AZHBR me programin e IPARD.

“Bëhet fjalë për punonjësin E. B. i datëlindjes 1993, që ka nisur karrierën në inceneratorin e Elbasanit. Filloi me një kontratë huaje 500 mijë euro të dhënë nga kompania ‘Integrated Energy BV’ për punonjësin E.B.

Më pas kemi kontratën që kompania ‘Integrated Energy BV’ i jep me qira tokën 8500 metra katrorë, është kontrata e qirasë dhe më pas e revokojnë këtë kontratë. Ndërsa më pas, ‘Integratet Energy BV’ e shet tokën prej 8500 metrash katrorë me vlerë 195 mln lekë të vjetër.

Më pas kemi një certifikatë pronësie që ai zotëri figuron edhe pronar i një toke tjetër 2 mijë metra katrorë po në Sharrë, me vlerë 40 milionë lekë dhe bëhet fjalë që këto 10500 metra katrorë tokë janë në zonën ku është ndërtuar inceneratori dhe kompania e ka përfituar nga koncesioni dhe e ka përdorur edhe për kolateral për kredi e pazare të tjera. Më pas, kemi një kontratë tjetër që individi ka lidhur me kompaninë ‘Consallting and Partners’ të Stela Gugalljas, e cila do ta këshillonte për aplikimin që do bënte te AZHBR për fondet e IPARD.

Keni listën e AZHBR që ky zotëria ka përfituar 314 mijë euro për ndërtimin e një sere në zonën e inceneratorit të Tiranës. Më pas kemi një prokurë të përgjithshme, më 22 dhe 25 shkurt, ku këtij zotërisë i jepet e drejta të administrojë transaksionet e inceneratorit të Tiranës. Kemi prokurë që ky zotëria më 1 prill të 2020-ës autorizon dy individë malazezë për të hapur një kompani në Mal të Zi.

Zoti punonjës, nga një punonjës i thjeshtë u bë pronar me tokë, mori para nga shteti dhe nga fondet e BE-së dhe del pronar në Mal të Zi. Në 2020-ën, kompania e Klodian Zotos bën një kontratë shërbimi me një kompani ‘Ysos’, e krijuar në emër të një personi tjetër, por edhe këtë kompani e administron sërish ky punonjës”, tha Shehaj.

Ndërkohë që lajmëroi se faktet e reja do t’ia dërgonte Kryeministrit, ministrisë së linjës dhe SPAK.

“I bëjmë thirrje SPAK të hapë regjistrin e noterëve dhe do të shohin jo vetëm këtë punonjës, por edhe emra të tjerë në hetim apo të arrestuar që kanë hapur kompani në Mal të Zi përmes këtij procesi me prokurë të bërë në Shqipëri.

Ne këto dokumente do t’ia kalojmë SPAK, por edhe zonjës Belinda Balluku, por edhe Ramës, i cili nuk sheh çfarë firmos. Balluku duhet t’i kishte penguar këto transaksione”, tha ndër të tjera Shehaj.

AKUZAT

Ndërkohë, deputeti Petrit Vasili ka denoncuar skemën e vjedhjes përmes inceneratorëve si mafioze dhe me mbështetjen e plotë të shtetit. Gjatë konferencës për shtyp, Vasili tha se SPAK do të jetë i detyruar të veprojë, se mali me dokumente është një fakt publik.

“Një rrjet mafioz që ka pasur mbështetje kreun e qeverisë, që në mënyrë kapilare, ka paralizuar shtetin që nuk kontrollonte, nuk monitoronte, nuk hetonte, qoftë hetimi tatimor, apo Policia kriminale, që mund të hidhnin dritë. Është një skemë e tillë, së cilës maskimi publik e depozitimi në drejtësi do të jenë dy rrugë pa kthim. Ne do t’i bindim përditë pa u lodhur që kjo vjedhje po gërryen përditë dhe skema e përdorur është në dritën e diellit, është mafioze dhe monstruoze që ka pasur mbështetjen kryesore vendimtare të funksionimit të saj, ka pasur shtetin. Keni parë një shtet që dallon dhe lekun e fundit te biznesi më i vogël dhe ju e dini dhe s’ka parë miliardat që rrjedhin në këto kanale. Një skemë mafioze dhe e trashë se kanë qenë të sigurt që nuk do të zbuloheshin kurrë. Drejtësia nuk devijon dot që të reagojë”, tha Vasili./Panorama/