Presidenti Bajram Begaj, priti sot Kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Sir Keir Starmer, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Begaj vlerësoi se këto marrëdhënie, të cilat datojnë prej 104 vjetësh, vazhdojnë të forcohen nëpërmjet shpirtit të vërtetë të miqësisë, bashkëpunimit dhe partneritetit.

Kreu i Shtetit e vlerësoi vizitën e Kryeministrit Starmer si shumë domethënëse në ndërtimin e një partneriteti strategjik midis dy vendeve, ndërsa falënderoi Kryeministrin britanik për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Shqipërisë dhe rolin e saj në nxitjen e stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor, në ndërtimin e një rajoni të qëndrueshëm, të mirëfokusuar në anëtarësimin e tij në Bashkimin Evropian dhe për rritjen ekonomike.

Presidenti i Republikës e vlerësoi shumë praninë e Kryeministrit anglez në kuadrin  e Samitit të Komunitetit Politik Evropian, si dhe shprehu bindjen se ky samit do të shërbejë si platformë për të promovuar integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Shqipërisë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, duke veçuar shkollimin në akademitë më të mira ushtarake të Britanisë së Madhe, stërvitjet e përbashkëta dhe kontributin me trupa në misionin KFOR. Ai theksoi se paqja, siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për Britaninë e Madhe, SHBA-në dhe BE-në. ”Plani i rritjes, në këtë kontekst, dhe investimet në Korridorin XIII, si korridor strategjik, përforcojnë sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, thuhet në njoftimin e Presidencës.