Forcat ruse po rrethojnë Kievin me forca ajrore dhe tokësore, duke shtrënguar lakun rreth kryeqytetit ukrainas, ndërkohë që operacionet ushtarake po kryhen në shumë zona të territorit ukrainas me synimin për të pushtuar strukturat kryesore në vend. Deri në mbrëmje, gjysma e Ukrainës vlerësohet të jetë pushtuar nga forcat ushtarake ruse.

Kryeqyteti ukrainas ka nisur të zbrazet, pasi qytetarët nxitojnë në mëngjes për të marrë para nga bankomatet e bankave dhe me mallrat e nevojshme nga supermarketet.

Të shumtë janë ata që po largohen nga kryeqyteti ukrainas, duke kërkuar zona në një distancë të sigurt – nëse është e mundur – nga zhvillimet e stuhishme të orëve të fundit. Sipas mediave ndërkombëtare, në Ukrainë tashmë janë vendosur kontrolle kapitale, ku qytetarët kanë të drejtë të tërheqin një shumë prej pak më shumë se 200 euro.