
Një zbulim arkeologjik i papritur ka habitur opinionin publik në Itali: një tunel i lashtë, i fshehur për shekuj në shkëmbin vullkanik të zonës së Tuscias, mund të ketë shërbyer si lidhje mes qytetit të Viterbos dhe Romës – në një distancë prej mbi 80 kilometrash.
Tuneli u zbulua gjatë punimeve nëntokësore në qendrën historike të Viterbos. Teksa teknikët po punonin në themelet e një ndërtese, hasën në një hyrje të mistershme të gdhendur në shkëmb. Arkeologët nga Universiteti i Tuscias, të cilët iu bashkuan menjëherë kërkimeve, shprehën habinë e tyre. “Asgjë e ngjashme nuk është parë më parë në Itali,” u shpreh një prej tyre.
Struktura nëntokësore është rreth tre metra e lartë dhe dy metra e gjerë, dhe sipas matjeve të para, ajo shtrihet në drejtim juglindor – drejt Romës. Deri më tani, është konfirmuar se tuneli arrin deri në zonën e Sutrit, dhe ekzistojnë indikacione se mund të shkojë deri në Prima Porta, në hyrje të kryeqytetit italian.
Origjina e tunelit mbetet ende mister. Disa historianë mendojnë se mund të jetë ndërtuar në Mesjetë si rrugë sekrete komunikimi mes Vatikanit dhe Viterbos, në kohën kur ky i fundit shërbente si seli papnore. Të tjerë sugjerojnë se tuneli mund të ketë origjinë etruske, me funksione ushtarake apo për evakuim emergjent.
Aktualisht, hyrja në tunel mbahet e fshehtë për të shmangur dëmtimet apo grabitjet. Po përdoren pajisje të avancuara teknologjike për të hartuar strukturën dhe për të vërtetuar nëse ajo shtrihet realisht deri në Romë. Ky zbulim i rrallë pritet të rishkruajë historinë e lidhjeve antike në rajon dhe të hapë një kapitull të ri për turizmin arkeologjik në Viterbo.
