Burime kane ka zbardhur diskutimet dhe porositë që Lulzim Basha iu ka dhënë deputetëve në mbledhjen e grupit parlamentar që u zhvillua paraditen e sotme në selinë blu. Basha ka kërkuar nga deputetët që të zbresin në zonat e tyre elektorale dhe të denoncojnë rritjen e çmimeve që janë të papërballueshme për qytetarët.

Po ashtu Basha ka kërkuar nga deputetët që të marrin informacion për hetimet që kanë bërë prokuroritë për zgjedhjet e 25 prillit, të bëhet gjithçka për të ndarë politikën nga krimi, si dhe të nisë sa më parë puna për Reformën e re Territoriale.

Porositë e Bashës për deputetët:

Bëhuni zëri i problemeve të qytetarëve. Zbrisni në zonat tuaja dhe bëni publike shqetësimet e tyre. Rritja e çmimeve është skandaloze në kushtet e një varfërie që ka përfshirë shumicën dërrmuese të qytetarëve
Merrni informacion pranë prokurorive për ecurinë e hetimeve për masakrën zgjedhore të 25 prillit. Duhet bërë transparencë e procesit hetimor që po zvarritet me urdhra politik dhe ndjekur në çdo hallkë të gjyqsorit dhe jo vetëm. S’mund të pretendohet për drejtesi të pavarur përsa kohë nuk ndëshkon dhunuesit e procesit zgjedhor.
Ne duhet të bëjmë gjithçka për të ndarë politikën nga krimi me iniciativa ligjore e qytetare dhe denoncuar aferat e përditshme korruptive të qeverisë më të korruptuar të Europës e ndër më të korruptuarat në botë.
Nisni konsultimet me qytetarët në zonat tuaja për reformën teritoriale. Së shpejti do të ngrihet grupi i punës në PD për të hartuar draftin ligjor.
Duhet të bëjmë gati mekanizmat që të adresojmë problemet e abuzimit me zgjedhjet dhe shitblerjen e votës, si dhe reformë zgjedhore dhe instrumenta zbatimi që mundësojnë rregulla të barabarta zgjedhore për të gjitha subjektet duke u bazuar në praktikat e mira europiane.