Erion Murataj PSD

Zbulohen detaje të reja lidhur me incidentin e dhunshëm në kampin e Gjadrit, ku ndodhen 40 emigrantë me urdhër dëbimi nga Italia.

Një grup prej tyre ka dëmtuar dyshekë dhe sende të tjera brenda dhomave, ndërsa tre persona kanë lënduar edhe veten me mjete të forta.

Burimet bëjnë me dije se personat në fjalë janë përdorues të lëndëve narkotike dhe kanë vepruar nën efektin e tyre.

Pas ngjarjes, autoritetet italiane kanë shtuar masat e sigurisë, duke izoluar personat e dhunshëm dhe duke i mbajtur nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Dëmet materiale janë rikuperuar brenda një kohe të shkurtër.

Kampi i Gjadrit, i ndërtuar fillimisht për strehimin e përkohshëm të azilkërkuesve të shpëtuar në det, tani do të shërbejë si qendër ndalimi për emigrantët që nuk kanë më të drejtë azili dhe janë në pritje të dëbimit, me një afat qëndrimi deri në 18 muaj.

Ky është grupi i katërt i emigrantëve që mbërrin në Shqipëri përmes portit të Shëngjinit.