Siguria ka qenë prej kohësh një shqetësim kryesor për udhëtarët kur bëhet fjalë për të vendosur se cilin destinacion të vizitojnë.
Por bota është kthyer “pak përmbys” vitet e fundit për shkak të pandemisë globale dhe nocioni i asaj që e bën një vend “të sigurt” ka ndryshuar ndjeshëm.
Kjo mund të ndihmojë për të shpjeguar renditjen nga Indeksi i Qyteteve të Sigurta (SCI,) i cili rendit 60 destinacione ndërkombëtare bazuar mbi sigurinë dixhitale, sigurinë shëndetësore, infrastrukturën, sigurinë personale, si dhe sigurinë mjedisore, një kategori e re për kete vit.
Ndërsa qytetet aziatike si Tokio, Singapori dhe Osaka kanë zënë vazhdimisht vendet e para vit pas viti, është një destinacion evropian që mban pozicionin numër NJË për 2021.
Kopenhagen është shpallur qyteti më i sigurt në botë për herë të parë, duke shënuar 82.4 pikë nga 100 në raportin vjetor.
Kryeqyteti i Danimarkës u hodh nga vendi i tetë direkt në krye të listës, kryesisht falë futjes së një seksioni të sigurisë mjedisore së bashku me sigurinë personale.
“Një faktor kryesor që e bën Kopenhagenin një qytet kaq të sigurt është shkalla e ulët e krimit, aktualisht në nivelin e tij më të ulët në më shumë se një dekadë,” thotë në raport Lars Weiss, kryebashkiak i Kopenhagenit.
“Kopenhagen karakterizohet gjithashtu nga kohezioni i madh shoqëror dhe një hendek relativisht i ngushtë i pasurisë. Është një qytet i përzier ku asistenti i pastrimit dhe CEO takohen me njëri -tjetrin në supermarketin lokal dhe kanë fëmijët e tyre në të njëjtën shkollë. Ky është një nga gurët themelorë të kulturës daneze dhe kontribuon shumë në nivelet e larta të besimit dhe sigurisë nga të cilat përfitojmë.”
Toronto i Kanadasë sapo humbi vendin e parë, duke zënë vendin e dytë me 82.2 pikë, ndërsa Singapori ishte i treti me 80.7 pikë.
Edhe pse Sidnei doli i katërti, me 80.1 pikë, qyteti australian kryesoi kategorinë e sigurisë dixhitale, ndërsa fituesit të vitit 2019 Tokio iu dha 80.0 pikë, duke e vendosur qytetin japonez në vendin e pestë.
Amsterdami i Holandës ishte i gjashti me 79.3 pikë, ndërsa Wellington i Zelandës së Re doli në numrin shtatë me 79.0 pikë, dhe ishte udhëheqësi i përgjithshëm në kategorinë e sigurisë mjedisore.
Qytetet e Azisë Paqësorit Hong Kong dhe Melbourne ndanë bashkarisht vendin e tetë pasi morën 78.6 pikë secila, ndërsa Stokholmi i Suedisë renditet i 10-ti me 78.0 pikë.
Nju Jorku ka ndarë vendin e 11-të me Barcelonën e Spanjës (të dy qytetet morën 77.8 pikë).
Washington DC ishte afër, në vendin e 14-të, ndërsa Londra dhe San Francisko u barazuan në vendin e 15-të.
Kishte pak surpriza në anën tjetër të listës, me Lagosin e Nigerisë, Kajron e Egjiptit, Karakasin e Venezuelës, Karaçin e Pakistanit dhe Yangon të Mianmarit që përbëjnë pesë të fundit