Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka propozuar zhvillimin e një samiti trepalësh mes tij, presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.
“Nëse Putini nuk ndihet rehat me një takim dypalësh, ose nëse të gjithë duan që të jetë një takim trepalësh, nuk më shqetëson. Jam gati për çdo format”, tha Zelensky në komentet për gazetarët.
Zelensky disa herë ka akuzuar Putin për shtyrje të firmosjes së traktatit të paqes ndërsa i është drejtuar Amerikës për të ndërmarrë një sërë sanksionesh të ashpra në sektorët e saj bankarë dhe të energjisë.
“Ne po presim sanksione nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trump konfirmoi se nëse Rusia nuk ndalet, do të vendosen sanksione. Ne diskutuam dy aspekte kryesore atë të energjisë dhe sistemit bankar. A do të jenë në gjendje SHBA-të të vendosin sanksione ndaj këtyre dy sektorëve? Do të më pëlqente shumë kjo”, tha Zelensky.
Ndërkohë ditën e djeshme, me një postim në rrjete sociale, Trump lëshoi një tjetër deklaratë të ashpër kundër Putin reagime këto që vijnë në një moment që duket sikur nuk ka asnjë përparim nga pala ruse për t’i dhënë fund luftës me Ukrainën.
Lidhur me këtë ngjarje Trump ka shkruar në rrjete sociale: “Ajo që Vladimir Putin nuk e kupton është se nëse nuk do të isha për mua, shumë gjëra vërtet të këqija do t’i kishin ndodhur tashmë Rusisë, dhe dua të them SHUMË KEQE. Ai po luan me zjarrin!” tha Trump pa qenë specifik se cilat “gjëra të këqija” parandaloi.
Trump herë pas here ka shprehur zhgënjim në rritje me Putinin, ndërsa sulmet vdekjeprurëse në Ukrainë vazhdojnë, ku i fundit është sulmi më i madh me dronë dhe raketa që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në shkurt 2022.