Presidenti ukrainas Vlodymyr Zelensky u bëri thirrje nënave ruse në një video-mesazh të premten. Ai u ka kërkuar atyre që të mos i dërgojnë djemtë në fushën e betejës dhe të ushtrojnë vigjilencë për vendndodhjen e tyre.

“Dua t’ua them këtë edhe një herë nënave ruse, veçanërisht nënave të rekrutëve. Mos i dërgoni fëmijët tuaj në luftë në një vend të huaj”, tha ai në një fjalim emocionues.

Prsidenti u bëri thirrje atyre që të “mos i besojnë premtimeve se do të dërgohen diku për stërvitje ose kushte jo luftarake”, dhe u kërkoi “të veprojnë menjëherë” nëse ka dyshime se ata po dërgohen për të luftuar në Ukrainë.

Fjalimi vjen pasi Rusia pranoi për herë të parë të mërkurën praninë e rekrutëve në radhët e forcave të saj në Ukrainë, shumë prej të cilëve ishin të patrajnuar për betejë dhe njoftoi se një numër prej tyre ishin zënë rob.

Zhvillimet më të fundit deri tani:

Forcat ruse po i afrohen Kievit dhe po shtojnë sulmet e tyre ndaj qyteteve të tjera kyçe në Ukrainë.

-Sulmet në qytetet kryesore: Forcat ruse zgjeruan ofensivën e tyre në perëndim të Ukrainës për herë të parë të premten. Sulmet synonin bazat ajrore ushtarake. Në lindje, ka prova se qyteti i Volnovakha ka rënë në duart e forcave ruse dhe aleatëve të tyre në Republikën e vetëshpallur Popullore të Donetskut. Sipas inteligjencës amerikane të mbrojtjes, qyteti jugor Kherson duket se është pushtuar.

-Forcat ruse përparojnë në Kiev: Ekipet e CNN në Kiev raportuan se kanë dëgjuar shpërthime në orët e para të së shtunës, pasi kryeqyteti është nën presion. Qytetet Kharkhiv, Mariupol, Mykolaiv dhe Sumy janë gjithashtu nën një sulm të vazhdueshëm rus. Të premten, qytetet kryesore duke përfshirë Dnipro, Lutsk dhe Chernihiv u goditën nga raketa, me viktima të raportuara. Sulmet goditën strukturat civile, duke përfshirë një shkollë, ndërtesa apartamentesh, një fabrikë këpucësh, një stadium futbolli dhe një bibliotekë.

-Rrëmbehet kryebashkiaku ukrainas: Kryetari i Melitopolit, Ivan Fedorov, u pa në video të premten duke u larguar nga njerëz të armatosur nga një ndërtesë qeveritare në qytetin juglindor. Pak kohë më vonë, prokurori rajonal i Luhansk i mbështetur nga Rusia pretendoi se Fedorov kishte kryer vepra terrorizmi dhe ishte nën hetim. Presidenti i Ukrainës tha se ndalimi i Fedorov ishte një “krim kundër demokracisë” dhe Ministria e Jashtme e Kievit e quajti atë një krim lufte që shkel Konventat e Gjenevës.

-Energjia e Çernobilit: Teknikët po punojnë për të riparuar linjat e dëmtuara të energjisë në termocentralin bërthamor të Çernobilit, sipas mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së. Autoritetet ukrainase thanë se linjat u ndërprenë plotësisht këtë javë për shkak të granatimeve ruse.