KQZ ka paralajmëruar Ofruesit e Shërbimit Mediatik Audioviziv për zbatimin dhe respektimin e çështjeve të rëndësishme si afati për publikimin e sondazheve dhe heshtja zgjedhore.

Ky njoftim i KQZ vjen vetëm 39 ditë para zgjedhjeve vendore, gjithashtu ata i bëjnë apel mediave që të përmbushin të gjitha detyrimet sipas pjesës VI, “Fushata Zgjedhore në Media”, të Kodit Zgjedhor, lidhur me zbatimin dhe respektimin e disa afateve si:

  1. Periudhës së fushatës zgjedhore, e cila fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve.
  2.  Periudhës së heshtjes zgjedhore, e cila përfshin ditën përpara datës së zgjedhjeve dhe datën e zgjedhjeve.
  3. Publikimit të rezultateve të sondazheve zgjedhore. Sondazhet zgjedhore nuk mund të publikohen gjatë 5 ditëve të fundit para datës së zgjedhjeve.
  4. Afatit kohor për dorëzimin e tarifave zyrtare. Operatorët radiotelevizivë brenda datës 09.04.2023 duhet të dorëzojnë në KQZ tarifat zyrtare për çdo segment kohor.
  5. Kohës së përgjithshme të transmetimit të reklamave politike, e cila nuk mund të jetë më shumë se 90 minuta.