Presidenti Meta nuk duket se ka ndërmend të zgjidhë ngërçin e krijuar në 6 bashkitë e mbetura pa kryetar, pavarësisht vendimit të zbardhur të Gjykatës Kushtetuese që legjitimoi garën vendore të 2019. Në Presidencë kanë mbërritur njoftimet shkresore vetëm nga 3 prefektë, por që të vihet në lëvizje, Ilir Meta pret që ta njoftojë Këshilli i Ministrave.
Argumentet e Gjykatës Kushtetuese për sa i përket vlefshmërisë së zgjedhjeve vendore të 30 qershorit2019 duket se nuk e kanë zgjidhur ngërçin e krijuar me vakancat në gjashtë bashki.
Presidenti i Republikës vijon të ketë qasjen se nuk janë respektuar hallkat ligjore për njoftimin e tij për vakancat e krijuara, çka sipas presidentit, do ta vinte në lëvizje.
“Për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit përpara afatit, këshilli bashkiak njofton Këshillin e Ministrave nëpërmjet prefektit”, thuhet në ligjin për qeverisjen vendore .
Zyrtarisht në tryezën e presidentit kanë mbërritur njoftimet nga tre prefekt për tre vakanca, Shkodër, Durrë dhe Vorë. Ndërsa për tre bashki të tjera, Dibër, Rrogozhinë dhe Lushnje nuk ka asnjë shkresë zyrtare. Madje për Presidentin, edhe firmat e prefektëve nuk janë të ligjshme nën argumentin se kreun e shtetit e vë në lëvizje Këshilli i Ministrave.
Gjendur përball këtij ngërçi lind pyetja, a janë të interesuara palët për zgjedhje të parakohshme në gjashtë bashki?
“Jo sepse besoj ka një konsensus politik mos ta kthejnë debatin për zgjedhjet e pjesshme lokale në debat ditor. Edhe për shkak se palët politike kanë agjendë tjetër politike. Maxhoranca kontrollon pushtetin ku do të bëhen zgjedhjet e pjesshme, ndërsa opozita ndodhet në një krizë të brendshme”, shprehet Afrim Krasniqi.
Drejtori i Institutit për Studimet Politike shprehet se ky ngërç mund të afektojë fatin e Presidentit, fati i të cili do të gjykohet në fillim të vitit 2022.
“Debati kushtetues lidhur me zgjedhjet është mbyllur. Nuk ka më asnjë strukturë ku pritet ndonjë vendimmarrje tjetër. Në këto rrethana edhe argumenti se do të presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese bie poshtë dhe do të duhet që palët politike dhe institucionale të lexojnë mirë procedurat ligjore”, thekson Krasniqi.
Gjykata Kushtetuese në argumentet e saj legjitimoi procesin elektoral të vendoreve 2019. /a2