Përmes postimit të zakonshëm të mirëmëngjesit, kryeministri Edi Rama iu ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit.
“MIRËMËNGJES, dhe me ftesën për qytetarët e 6 bashkive në Shqipëri ku sot votohet, që ta ushtrojnë të drejtën themelore demokratike për të zgjedhur edhe në respekt të atyre që në lindje të Europës, po masakrohen për të mos e humbur atë të drejtë bashkë me demokracinë, ju uroj një të dielë të qetë”, shkruan Rama në postimin e tij në rrjetet sociale.
Ka nisur procesi i votimit në shumicën e qendrave në 6 Bashkitë e vendit, që do të zgjedhin sot kryetarët e tyre, që do të qeverisin deri në vitin 2023.
Procesi ka nisur i qetë, ndërsa disa problematika janë shënuar në Vorë, ku ka pasur mungesë komisionerësh, dhe në disa zona të thella të Shkodrës, ku ka pasur bllokime të rrugëve si pasojë e motit të keq.
Burime nga KQZ bëjnë me dije se kanë qenë komisionerët e PD ata që nuk janë paraqitur në qendrën e votimit.