28 subjekte politike me 1.280 kandidatë konkurrojnë sot për mbështetjen e rreth dy milionë votuesve për të siguruar ulëset në parlamentin 120 vendesh të Kosovës në zgjedhjet e sotme parlamentare.

Njëzet nga këto vende u takojnë pakicave kombëtare nga të cilat dhjetë janë për komunitetin serb, nga radhët e të cilit konkurrojnë gjashtë subjekte politike.

Mbi 940 qendra votimi janë të hapura që prej orës shtatë të mëngjesit deri në orën 19:00, ndërsa mbi 100 të dërguar të Bashkimit Evropian dhe 18 nga Këshilli i Evropës janë vëzhgues që po ndjekin nga afër procesin e votimeve. Zgjedhjet e së dielës janë të nëntat me radhë që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 që mori fund me ndërhyrjen e NATO-s.

Kjo është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, që parlamenti i Kosovës përmbushi mandatin e plotë katërvjeçar.

Kandidatët e partive kryesore politike për postin e kryeministrit bënë thirrje të dielën në mëngjes për pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve në votime.

Kandidatët për kryeministër janë: Albin Kurti – Lëvizja Vetëvendosja VV; Lumir Abdixhiku – Lidhja Demokratike e Kosovës LDK; Bedri Hamza – I kandiduar nga Partia Demokratike e Kosovës PDK dhe Ramush Haradinaj – Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK.

Top Channel po ndjek pas hapi procesin e zgjedhjeve, ndërsa në terren ndodhen gazetarët Muhamed Veliu, Kristi Gongo, Leonita Bajrami dhe Bekim Lekica.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që nuk kanë votuar këtë të diel. Ai thekson se dy orët që kanë mbetur janë vendimtare për katër vitet e ardhshme në Kosovë.

Mbi gjysmë milioni qytetarë me të drejt vote, tashmë kanë ushtruar të drejtën e tyre dhe kanë votuar. Ndonëse procesi është duke shkuar pa ndonjë incident të madh, një rast i fotografimit të votës është raportuar në Zveçan.

Zëdhënësi i KQZ-së në Kosovë, Valmir Elezi, tha para mediave se deri në orën15:00, dalja e qytetarëve në votime është 28.32%. “Procesi po vazhdon pa probleme. Deri në ora 15;00 kanë votuar 558,246 qytetarë, apo 28.32%”, tha ai. Gjithashtu, ai tha se në vitin 2021, deri në ora 15:00 kishin votuar 32% e votuesve, apo 567,934 votues.

Një situatë e rrallë ka ndodhur në Malishevë gjatë procesit të votimit. 26 anëtarë të një familje kanë shkuar të votojnë së bashku në njërën prej qendrave të votimit në Malishevë. “Jemi nga Malisheva, jemi 26 anëtarë në familje”, thotë njëri prej anëtarëve.

Qendra për votim me kusht në komunën e Zubin Potokut ka mbetur pa fletëvotime pasdite. Qytetarët që prisnin për të votuar u informuan nga punonjësit se nuk do të mund të votonin më në këtë qendër të votimit me kusht.

Edhe pse Kosova vetë është një vend i vogël, zgjedhjet parlamentare të saj, për historianin Konrad Clewing, kanë potencialin të kenë pasoja të mëdha në të gjithë Ballkanin,  madje edhe ndërkombëtare.

Top Channel