Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të zbatuar mbrojtjen e votave për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të dielën.

Prokuroria ka njoftuar se në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe një numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë në detyrë deri në përfundim të procesit zgjedhor, për të vijuar me çdo parregullsi që mund të ndodhë në zgjedhjet e këtij viti.Prokurorët do të qëndrojnë në zyrat e tyre në qytetet ku ekzistojnë prokuroritë themelore, ndërsa në ato vende ku prokuroria nuk ka objekt, prokurorët do të qëndrojnë në stacione policore, ku në bashkëpunim me hetuesit e Policisë së Kosovës do të jenë në mbrojtje të votës së lirë të qytetarëve”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, koordinatorja kombëtare për zgjedhjet, prokurorja Laura Pula, do të mbikëqyrë gjithë zbatimin e detyrave të koordinatorëve rajonalë, prokurorëve të angazhuar dhe prokurores kujdestare në KQZ.

Prokurori i Shtetit ka bërë thirrje që t’i raportojnë prokurorëve përkatës për çdo rast në të cilin dyshojnë se vota po keqpërdoret apo manipulohet në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo.

Policia ka shpallur edhe katër fazat kyçe të planit operativ të policisë për zgjedhjet.

Policia tha se oficerët e policisë filluan të punojnë me turn 12 orësh, duke filluar nga ora 3 e mëngjesit

“Ky plan operativ ka paraparë katër faza: Periudha parazgjedhore ose përgatitore e vlerësimit; Angazhimi për sigurimin gjatë fushatës zgjedhore; Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve (Z); Periudha paszgjedhore e cila parasheh transportin nën përcjelljen e PK-së dhe sigurimin e materialeve të ndjeshme deri në përfundim të procesit”, thuhet në planin e Policisë.

Policia ka thënë se janë realizuar dy faza të planit.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar që detyrat dhe përgjegjësitë e saj ligjore t’i kryej në mënyrë profesionale ndaj qytetarëve dhe vendit, si dhe të jetë transparente për punën dhe angazhimet e saj policore. “I inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente dhe të raportojnë çdo rast të kundërligjshëm që ka të bëjë me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.