Qytetarët malazezë kanë votuar kundër presidentit Gjukanoviç dhe partisë së tij e cila gëzonte pushtet të plotë në disa komuna në zgjedhjet lokale të së dielës. DPS ka humbur Podgoricën ku qeveriste prej 24 vitesh. Forcat pro-ruse janë në revansh.
Partia e Millo Gjukanoviç ka fituar shumicën e votave në kryeqytet, por përsëri nuk do të jetë në gjendje që të qeverisë sërish Podgoricën.
Partitë pro-ruse dhe pro-serbe, njëherazi fituese të zgjedhjeve parlamentare të 2020 kanë shumicën për të formuar qeverinë lokale në kryeqytet.
Për herë të parë pas 24 vitesh, DPS-ja e Gjukanoviç nuk do të qeverisë në kryeqytet.
Zgjedhje janë mbajtur në 14 komuna, në të cilat DPS-ja mbante 8 prej tyre.
Por katër vjet pas zgjedhjeve të fundit, kjo forcë politike që ka shumicën e deputetëve në parlament ka fituar vetëm në tre komuna.
Partia Demokratike e Socialistëve ka fituar vetëm në Tivar, Pllavë dhe Bijello Pollje.
Megjithatë partitë opozitare kanë fituar edhe në Plljevllje, Zhablljak, Danillovgrad dhe Kolashin, duke ua lënë pjesën tjetër partive që fituan zgjedhjet e 30 gushtit 2020.
Votimi i së dielës ishte testi më i madh për të gjitha partitë politike, ndërsa pushteti qendror është në kaos me Dritan Abazoviç i cili mban një mandat teknik, pasi është shkarkuar në gusht dhe ende nuk ka një shumicë parlamentare për ta qeverisur.
Përpara zgjedhjeve të 23 tetorit, partitë fituese të gushtit 2020 thanë se do ta shfrytëzonin rezultatin për të formuar një shumicë parlamentare pasi presidenti nuk ua dha mandatin më herët edhe pse ata i kishin votat.
Presidenti Gjukanoviç ka kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme me pretendimin se nuk kishte një shumicë të shëndetshme parlamentare.
Zgjedhjet e së dielës mund të ishin asi nën mëngë i kreut të shtetit për t’iu mbushur mendjen e ligjvënësve, por edhe qytetarëve se duheshin zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Megjithatë, Gjukanoviç mund të mos e pranojë sërish t’ia japë mandatin fituesve të zgjedhjeve të 2020, koalicioni Fronti Demokratik, Demokratët dhe URA e Abazoviç, përderisa vendi është pa Gjykatë Kushtetuese.
Çdo lëvizje për shkarkimin e presidentit do të ishte e paplotë pa miratimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i mungon vendit.