Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha pasditen e sotme ka udhëtuar drejt Fieri në kuadër të zgjedhjeve për kryetar të PD.

Berisha këtë mbledhje e ka nisur me akuza ndaj ish-kryetarit Lulzim Basha duke thënë se ai merrte vendime autokratë, ndërsa mbështetësit e tij Berisha i cilëson si “luftëtarë” të një beteje për legjitimitetin.

“Basha mori vendime autokratike. Vendim në aparencë që nuk i marrin edhe partitë Marksist-Leniniste. Ngritja juaj në këmbë ishte një betejë kundër autokracisë. Mes legjitimes dhe jo legjitimes.” tha Berisha.

Berisha nga Fieri pati një kërkesë për demokratët duke thënë se për çdo dyshim që kanë për votën duhet të tregojnë zero tolerancë.

Sakaq Sali Berisha komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili nga Brukseli dy ditë më parë, tha se Shqipëria do të ndahet nga Maqedonia e Veriut, nëse rruga drejt anëtarësimit në BE ngec për shkak të ngërçit mes Bullgarinë.

“…Po ku do shkojmë ne mor zotëri që paske ndërmend ti që të shohësh drejtimin tonë, drejt Beogradit apo Stambollit? Jo mor zotëri, ne yll polar do kemi Bashkimin Europian. Shikoni në ç’kërcënim të madh është interesi ynë kombëtar”, tha Berisha mes të tjerash.