Ku vetëm disa javë na ndajnë nga zgjedhjet e 25 prillit, Presidenti Ilir Meta është akuzuar shpesh herë se po del nga roli i tij, pas angazhimeve në fushatë për zgjedhjet e ardhshme.

Së fundmi Meta ka reaguar me anë të një postimi në rrjetet sociale duke vijuar të theksojë se 25 prilli do të jetë sipas tij Referendum dhe do të përmbysë me votë klikën oligarkike që mashtron sipas tij shqiptarët.

Për sa u përket kritikave për angazhimin e tij në fushatë, Meta ka thënë se angazhimi publik i Presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës dhe votës së lirë është tmerr për ta.

“Kujtojnë se do të frenojnë Presidentin të bëjë detyrën kushtetuese për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, që është fuqia dhe e ardhmja e tyre.” shkruan Meta ndër të tjera.

Postimi i plotë i Metës:

Referendumi i 25 prillit do të përmbysë me votë plebishitare klikën oligarkike, që rrjep dhe mashtron shqiptarët prej kohësh. Tmerri i tyre është angazhimi publik i Presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës dhe votës së lirë. Ndaj me gënjeshtra të orkestruara nga kryeoligarku e të bëra publike në mediat e kapura prej tij, kujtojnë se do të frenojnë Presidentin të bëjë detyrën kushtetuese për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, që është fuqia dhe e ardhmja e tyre.

Kot lodhen me shpifje, shantazhe, frikësime, gjoba arbitrare, fabrikime sondazhesh të gënjeshtra për të demoralizuar qytetarët të votojnë apo me blerje “opozitarësh”, që kurrë nuk kanë mbrojtur interesin publik e kombëtar por që mendojnë vetëm për “përsheshin” e radhës.

Shqiptarët do të votojnë më 25 prill 2021 për lirinë e dinjitetin e tyre, si asnjëherë më parë në këto 30 vite.

Më 25 prill 2021, Demokracia do triumfojë mbi oligarkinë dhe qytetaria mbi marrëzinë. Presidenti ka vetëm një votë, si çdo qytetar i këtij vendi dhe do të votojë kundër oligarkisë, që ka nëpërkëmbur Kushtetutën, ligjet dhe të drejtat e njeriut dhe që po mban peng të ardhmen europiane të vendit.

Një garanci më shumë se Referendumi do triumfojë në 25 prill është edhe rreshtimi kundër tij, i Gazetës Tema, të denoncuar edhe në raportin e Parlamentit Europian, si media më e pabesueshme në Shqipëri e Europë dhe si një nga shpërndarëset më të mëdha të lajmeve të rreme.

Ja një tjetër provë se si takimin publik të bërë në Selenicë nga Presidenti në datën 18 janar 2021, për çështjen e rrugës, kjo gazetë e paraqet si takim me veteranë për LSI.

Top Channel