Pesë ditë pas zhdukjes së 63-vjeçarit Engjëll Kanani pranë lumit Vjosa, afër fshatit Kashisht, ende nuk është gjetur asnjë gjurmë e tij. Burime nga vendi i ngjarjes raportojnë se mister mbetet fakti që nuk është gjetur asnjë send personal i tij, si mjetet e peshkimit, çanta apo celulari.
Sipas burimeve, celulari i 63-vjeçarit ka qëndruar i hapur deri 24 orë pas zhdukjes së tij, ndërsa kërkimet ishin duke u zhvilluar. Familjarët dhe miku i tij, 64-vjeçar, e kanë telefonuar vazhdimisht në numrin e tij, por megjithëse telefoni binte, askush nuk përgjigjej.
Kërkimet janë shtrirë edhe në kanalin Vjosë-Levan-Fier, që lidhet me lumin Vjosë. Prej dy ditësh, një grup familjarësh po kontrollojnë këtë zonë, duke iu bashkuar operacionit të policisë dhe ekipit të polumbarëve. Pavarësisht përpjekjeve të deritanishme, ende nuk ka asnjë shenjë të Engjëll Kananit.
Krahas operacioneve të kërkimit, sektori i krimeve në komisariatin e Fierit ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Sipas të dhënave, Engjëll Kanani është baba i dy fëmijëve. Ai dhe miku i tij, të dy me banim në Berat, prej tre vitesh ushtronin peshkim amator në lumin Vjosë.
Ditën e zhdukjes, të enjten e javës që shkoi, dy shokët janë parë të peshkonin në vende të ndryshme të zonës së Kashishtit. Sipas dëshmisë së mikut të tij në polici, ata kishin caktuar një orar dhe vend për t’u takuar, por Kanani nuk u paraqit në vendtakim. Pas disa orësh, kur 63-vjeçari nuk iu përgjigj telefonatave, miku i tij raportoi zhdukjen në polici.