Zinedine Zidane ditët e fundit ka dhënë disa mesazhe të mundshme drejt Real Madrid ku paralajmëron largimin në fund të sezonit.

Trajneri francez për momentin nuk u ka komunikuar as drejtuesve dhe as lojtarëve se do të largohet në fund të sezonit por në bisedat mes tyre sipas shtypit spanjoll ai po bëhet gati për të mbyllur aventurën në Madrid.

Në një situate të tillë, drejtuesit “los blancos” nuk mund të qëndrojnë pa lëvizur dhe nëse dy ditë më parë u zbulua një bisedë e Florentino Perez me Allegrin, sot gazeta madrilène “AS” shkruan se edhe Raul Gonzalez është në listën e presidentit të klubit.

Madje me ish bomberin legjendar të Real Madrid ka patur një bisedë konkrete për mënyrën sesi e shikon ai skuadrën nëse do të merrte drejtimin. Mësohet se Raul ka kërkuar një ristrukturim të thellë të skuadrës me largimin e të paktën 7-8 lojtarëve dhe dhënien e hapësirave disa të rinjve.

Njëkohësisht për Raul ka ardhur edhe një ofertë nga Eintracht Frankfurt të cilën e ka lënë në pritje për shkak të fazës playoff që po zhvillon me Castillan dhe zhvillimeve të fundit të Zidane në timonin e Real Madridit.

ora tv