Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë në orët e para të mëngjesit zonën pranë magazinave të Bashkisë Lezhë, në afërsi të kryqëzimit të Rrilës.
Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe ku prej kohësh depozitohen mbetje ndërtimi dhe inerte, duke shkaktuar tym të dendur dhe shqetësim në zonat e banuara përreth.
Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa qarkullimi në aksin rrugor vijon me vështirësi për shkak të pranisë së tymit të dendur.
Në një reagim për mediat, nënkryetari i Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi, bëri të ditur se zjarri ka rënë rreth orës 03:30 të mëngjesit dhe ka përfshirë një hapësirë ku depozitohen mbetje të riciklueshme, të grumbulluara nga ndërmarrja e shërbimeve. Ai nënvizoi se nuk bëhet fjalë për mbetje organike dhe se rrethanat në të cilat ka rënë zjarri ngjallin dyshime për zjarrvënie të qëllimshme.
Zefi shtoi se pritet që situata të neutralizohet plotësisht brenda ditës dhe të mos ketë më prani tymi në zonë, ndërkohë që bashkia, në bashkëpunim me organizatën GIZ, po punon për ngritjen e një qendre të posaçme për trajtimin e këtyre mbetjeve, duke shmangur kështu dërgimin e tyre në landfill.