Të paktën 40 persona kanë vdekur ndërsa 41 të tjerë u shpëtuan pasi anije me të cilën po udhëtonin u përfshi nga zjarri në brigjet e Haitit në fillim të kësaj jave, njoftoi Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM). Anija u largua nga Haiti të mërkurën me mbi 80 emigrantë dhe u nis për në Turks dhe Caicos.

Në një deklaratë, Grégoire Goodstein, shefi i misionit të IOM-it në vend, fajësoi për tragjedinë krizën e sigurisë në Haiti dhe mungesën e “rrugëve të sigurta dhe ligjore për migrimin”.

“Situata socio-ekonomike e Haitit është në agoni. Dhuna ekstreme gjatë muajve të fundit vetëm sa ka bërë që Haitianët të përdorin masa të dëshpëruara edhe më shumë,” tha ai.
Haiti po përballet me dhunën e bandave, një sistem shëndetësor në kolaps dhe mungesën e aksesit në furnizimet thelbësore, duke bërë që shumë haitianë të nisin udhëtime të rrezikshme jashtë vendit.

Kriza e kombit të Karaibeve u përshkallëzua në fillim të këtij viti kur shpërtheu lufta e bandave, duke detyruar dorëheqjen e qeverisë së atëhershme. Sipas të dhënave të IOM-it, numri i përpjekjeve për migrim me anije nga Haiti është rritur që atëherë. Por kaosi në vend nuk i ka ndaluar qeveritë fqinje të riatdhesojnë emigrantët nga Haiti me dhjetëra mijëra./abcnews.al