Erion Murataj PSD

Një zjarr ka përfshirë një magazinë të vogël pasditen e sotme në lagjen nr. 4 të qytetit të Pogradecit, rreth orës 13:40. Në ambientet e kësaj magazine jetonte një person i pastrehë, i cili është nxjerrë në kohë dhe fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime.

Sipas informacioneve paraprake, si pasojë e flakëve janë regjistruar vetëm dëme materiale.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërriti ekipi i zjarrfikëses, i cili bëri të mundur neutralizimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit në objektet përreth, pasi magazina ndodhej në një oborr banese pranë ndërtesave të tjera.

Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për të zbardhur shkaqet e zjarrit. Deri më tani nuk ka të dhëna për ndonjë dyshim të qëllimshëm, por hetimet po vijojnë.