Zjarret që pushtuan Greqinë në ditët e fundit lanë pas shtëpi të shkatërruara dhe kilometra të tërë tokë të djegur. Dëmet më të mëdha janë regjistruar përreth zonës së Dervenochoria, rreth 50 kilometra larg kryeqytetit Athinë.
Në fshatin e vogël Tsakali pranë qytetit Mandras, pensionisti Lazaros Alexandridis e kaloi gjithë natën jashtë shtëpisë së tij të dëmtuar. 69-vjeçari tha se i druhej grabitjes. Ai jeton në këtë shtëpi që nga viti 2003 me bashkëshorten. Prona ka pësuar shumë dëme dhe ai po mendon se si do ta rregullojë me pensionin prej 780 eurosh.
“A mund të ndihet dikush mirë pasi ka parë shtëpinë e tij të djegur? Pa asnjë ndihmë? Nuk erdhi asnjë zjarrfikës, po të kishin dërguar një zjarrfikës, ky dëm nuk do të kishte ndodhur.”
Avionët dhe helikopterët vijojnë të hedhin ujë mbi zjarret që po djegin perëndimin e Athinës, ndërsa kërcënimi në të mbarë Greqinë u zvogëlua. Por autoritetet kanë frikë nga shfaqja e vatrave të reja të zjarrit pasi temperaturat pritet të arrijnë në 45 gradë Celsius në ditët në vijim.
Zjarre të reja kanë shkatërruar pyjet në perëndim të Athinës dhe tymi i dendur i shtëllungave ka mbushur ajrin. Autoritetet u bënë thirrje banorëve në katër vendbanime, përfshirë Agios Sotiras, që të largohen nga shtëpitë.
Shërbimi meteorologjik paralajmëroi për një rrezik të shtuar të zjarreve nga e premtja, kur termometri pritet të rritet më tej dhe të arrijë një maksimum prej 45 gradë Celsius gjatë fundjavës.
Në Romë, banorët dhe turistët kërkuan të freskohen në shatërvanët e famshëm të qytetit, pasi kryeqyteti italian ishte një nga qytetet më të prekur nga vala e të nxehtit që goditi mbarë Europën Jugore. Vala e të nxehtit ka goditur edhe në Gaza-n ku palestinezët kërkuan lehtësim duke u larë në det dhe duke u spërkatur me ujë të freskët