Policia e Tiranës ka dhënë detaje lidhur me zjarrin që përfshiu parkingun e një pallati në Tiranë.

Sipas policisë, nga hetimet ka rezultuar se zjarri ka rënë për shkak të një defekti në rrjetin elektrik të godinës. Ndërsa si pasojë e flakëve, janë djegur një automjet dhe një motomjet.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pasditen e djeshme, për zjarrin e rënë në vendparkimin e automjeteve, në një pallat në rrugën “Gjik Kuqali”, bëjmë me dije se nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se zjarri ka rënë për shkak të një defekti në rrjetin elektrik të godinës.

Si pasojë e zjarrit janë djegur 1 automjet dhe 1 motomjet”, thuhet në njoftimin e policisë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.