Zoran Zaev: Është vërtet nder dhe kënaqësi që jemi së bashku këtu sot dhe faleminderit i dashur Edi që na ke mikpritur dhe sot jemi duke diskutuar për iniciativa të reja, ndaj më duhet të shpreh kënaqësinë për proceset e “Ballkanit të Hapur”.
Për ne nuk është e lehtë në BE, por as në Ballkan megjithatë ne kemi bërë hapa të dukshëm për të treguar se kemi vullnetin për të bërë më të mirën për qytetarët tanë. Kjo do të jetë pjesëmarrja ime e fundit në këtë mision të rëndësishëm së bashku me 2 liderët e Shqipërisë dhe Serbisë.
(Ndërhyn kryeministri Rama: Kushedi se çfarë do të ndodhë pas sa kohe)
Gjatë kësaj iniciative e kemi theksuar se është proces autentik, por e hapur për të gjithë vendet dhe me nënshkrimin e marrëveshjeve të para ne kemi treguar që një vullnet i fortë politik mund të çojë në krijimin e kapaciteteve për reforma të shpejta dhe efektive. Ne i kemi treguar unionit se jemi të gatshëm dhe për integrimin tonë në BE. Që në hapat e para ne treguam që vendet e tona nuk do të mbahen peng nga dështimet e BE-së për integrimin tonë, por vendet tona nuk kanë arsye pse të presin. Ballkani i Hapur, ka një vlerë të shtuar pasi forcoi miqësitë e ne të treve. Ju bëj thirrje dhe pasardhësve të mi; Ruani dhe këtë proces, kemi pasur zënka dhe mëri në të shkuarën por ‘Open Ballkan’ është rruga jonë drejt BE, është mënyra se si do të lëmë pas të shkuarën tonë dhe do të kemi suksese të mëtejshme”.